Denis Hamza është i riu nga një fshat i Pogradecit, i cili është shkolluar në Itali. Pas përfundimit të studimeve, i riu është kthyer në Shqipëri, e madje në vendin e tij të lindjes. Aty është takuar me Almir Dacin dhe që prej asaj kohe mësohet se është shmangur nga familja e tij.
Denis Hamzaj është ndër personat e zhdukur fati i të cilit ende nuk dihet nëse është gjallë apo është vrarë, ndërsa mësohet se ai ka marrë me vete edhe gruan dhe fëmijën. Nga biseda e Dacit me kushëririn e një tjetër të rëni në luftën e Sirisë është mësuar se edhe Denisi është vrarë, por nuk dihet se në çfarë rrethanash dhe se ku është trupi i tij.
Familjarët e Denisit ngrenë pikëpyetje të mëdha, ndërsa dje vetë tezja e tij ka dalë dhe ka denoncuar zhdukjen pa gjurmë të nipit.
Referuar të dhënave të Prokurorisë, të cilët bazohen edhe në informacionet e SHISH-it, mësohet se emri i Denis Hamzajt është në grupin e personave që rezultojnë të zhdukur, ndërsa nuk dihet ende se ku gjendet familja e tij. Hetimet janë përqendruar pikërisht në aktivitetin e Almir Dacit, personit që sipas të dhënave të prokurorisë dhe të policisë ka qenë konsideruar edhe si imami i xhamisë së Leshnicës, ku edhe ka kryer rekrutimin e personave që kanë ikur nga ajo zonë në drejtim të Sirisë për të luftuar në emër të xhihadit.
Policia dhe ekspertë të hetimit gjenden në zonat e Librazhdit dhe të Pogradecit, ku po kryejnë hetime, ndërkohë që ditën e ndërmarrjes së operacionit janë shoqëruar me dhjetëra persona të asaj ane. Të afërm të Denisit kanë kërkuar edhe në policinë e Pogradecit që të njihen me informacione në lidhje me fatin e njeriut të tyre, ndërkohë që sipas të dhënave të gjitha deponimet e tyre janë bashkëngjitur në dosjen e hetimit të grupit që u konsiderua si celula terroriste e Tiranës.
Të afërmit i kanë shpjeguar policisë se pas ardhjes së lajmit të vdekjes së Ervis Alinjit, është kërkuar të kontaktohet më shpesh me Denisin dhe bashkëshorten e tij e cila gjendet në kampet e luftës bashkë me fëmijën e saj. Por, ata kanë treguar se gruaja nuk iu ka dhënë asnjë lloj shpjegimi mbi fatin e bashkëshortit të saj dhe të djalit të tyre. Njëkohësisht ekspertët po punojnë intensivisht në lidhje me gjurmimin e Almir Dacit, personit që dyshohet se ka informacionet e duhura në lidhje me fatin e të gjithë xhihadistëve të atyre anëve që kanë marrë rrugëtimin drejt Sirisë për të luftuar kundër forcave të qeverisë.
Ndonëse raportet vijnë në bazë të statistikave të besimtarëve që kanë ikur në drejtim të Sirisë, gjithsesi ditën e djeshme është bërë me dije se numri i fëmijëve shqiptarë që gjenden në kampet e luftës së Sirisë është vërtet i madh dhe mjaft shqetësues. Duke patur parasysh faktin se fëmijë janë të gjithë të moshave të mitura, numri i të cilëve shkon te 35, kompetentët e hetimit kanë marrë përsipër të krijojnë edhe dosje në lidhje me moshën dhe prindërit e tyre. Sipas informacioneve që dalin nga grupi i hetimit mësohet se fëmija më i vogël që ka kaluar kufirin shqiptar në drejtim të Turqisë ka qenë vetëm dymuajsh, ndërkohë që si Prokuroria, ashtu edhe policia dhe SHISH-i pranojnë se të gjithë personat e skeduar kanë kaluar nga pikat kufitare pasi janë regjistruar edhe në sistemin TIMS.
Ikjet nisën dy vite më parë, ndërkohë që ikja e Almira Kastratit bashkë me të birin, që sipas denoncimit të babait të djalit rezulton dy vite më parë, paçka se ende nuk është bërë me dije se cili ka qenë destinacioni i parë për një ndër gratë e imamit të vetëshpallur të xhamisë së Unazës së Re, Genci Balla, mbi të cilin tashmë bien edhe akuzat më të mëdha të prokurorisë së Krimeve të Rënda. Zamir Mani ka deklaruar në prokurori se kur bashkëshortja e tij iku dhe u martua me imamin e vetëshpallur, djali i tij ishte katër vjeç, ndërsa i biri i tij sot është shtatë vjeç. Sipas të dhënave, ai gjendet në Siri bashkë me nënën e tij.
Sipas hetimeve të prokurorisë mësohet se në Siri, shumë prej personave që kanë ikur të luftojnë, kanë edhe gratë dhe fëmijët e tyre më vete, ndërsa numri i personave të dyshuar që kanë kapërcyer në Siri rritet çdo ditë, pasi janë familjarët që mbërrijnë te Krimet e Rënda dhe denoncojnë ikjet e njerëzve në drejtim të Turqisë apo të Arabisë. Hetuesit kanë fiksuar faktin se në asnjë prej dëshmive të xhihadistëve që kanë lënë në familjet e tyre, nuk përmendet gjëkundi fjala Siri, ndërkohë që të gjithë kanë treguar se do të iknin për një jetë më të mirë në Turqi ose në Arabinë Saudite.
Pas hetimeve intensive, përgjimeve dhe informacioneve që kanë ardhur nga shërbimet ndërkombëtare, mësohet se ka dyshime të forta se djemtë në moshë të madhe që kanë ikur nga Shqipëria përdoren për luftë. Dyshimet kanë ardhur edhe pas zbulimit të shkollës brenda ambienteve të xhamisë së Unazës së Re në të cilën shërbente si imam Genci Balla dhe si lektor Bujar Hysa. Grupi i hetimit mësohet se ka hequr paralelizma mes predikimeve që janë bërë për xhihad në këtë xhami që shërbente edhe si shkollë dhe të miturve që kanë ikur në drejtim të Sirisë. Njëkohësisht janë identifikuar fëmijët që kanë qenë të strehuar në xhaminë e Genci Ballës dhe që pritet shpejt të merren në pyetje edhe prindërit e tyre, ndonëse disa prej fëmijëve që kanë qenë të strehuar aty janë të gjithë lidhje e afërt me protagonistët e vënë në pranga, ose që kanë ikur në drejtim të Sirisë.
Grupi i hetimit është fokusuar edhe në identifikimin e xhihadistëve, të cilët dyshohet që janë plagosur në luftime dhe janë kthyer në drejtim të vendit tonë. Nuk dihet se sa është numri i tyre, por mësohet se ka informacione janë disa persona që gjenden në Shqipëri, të cilët janë kthyer pasi janë plagosur.