Home Uncategorized Vit i suksesshëm për FSK-në

Vit i suksesshëm për FSK-në

Forca e Sigurisë së Kosovës synon që vitin e ardhshëm ta ndërrojë misionin e saj, e cila do të jetë e gatshme t’i përmbushë nevojat e saj. Mirëpo, ende nuk dihet nëse FSK-ja do të ndërrohet në ushtri të ardhshme të Kosovës, apo ende do të mbetet me mision aktual që e ka. Por, sipas Komandantit të FSK-së gjenerallejtënant Kadri Kastratit, janë katër fusha në të cilat ata synojnë që në të ardhmen t’i kryejnë. Sipas tij, ato janë, Mbrojtja e territorit të Kosovës, pjesëmarrja në operacione paqeruajtëse, mbështetja e institucioneve dhe mbështetja e autoriteteve civile.

Kastrati, në një intervistë për Kosovapress, thotë se vitin 2013 po e përmbyllin me shumë suksese, pasi arritën kapacitetet e plota operacionale të shpallura nga NATO. Ai ka bërë të ditur se janë në përfundim të hartimit të dokumentit nga rishikimi i sektorit strategjik të sigurisë në Kosovë, dhe në fillim të vitit të ardhshëm do t’i rekomandojnë Qeverisë dhe do të mbetet në kompetencat e tyre për ndërrimin e misionit të FSK-së.

“FSK-ja do të jetë e gatshme që të del me raport te Ministri i FSK-së diku në fillim të vitit 2014 dhe pastaj është Qeveria dhe institucionet shtetërore që do të marrin vendimet për të ardhmen. Çdo vendim që Qeveria e merr dhe e bien për FSK-në, unë si komandant dhe stafi im dhe komplet FSK-ja do të jenë të gatshëm që t’i realizojnë gjitha ato detyra që dalin për të ardhmen për FSK-në”, tha Kastrati.

Ai thotë se ende nuk mund të thotë së çfarë force i duhet Kosovës, sepse akoma nuk kanë ardhur deri të raporti final dhe mund të ketë ndryshime. Por, është i bindur se çdo gjë që do ta çesin si rekomandim, apo raport final para Qeverisë, do të jetë një studim i mirë dhe një strukturë, e cila do të jetë e kapshme edhe për buxhetin, por edhe për nevojat e sigurisë për mbrojtjen në të ardhmen.

“Ne mendojmë një forcë, e cila i nevojitet Kosovës për t’i përmbushur nevojat e veta, nevojat mbrojtëse, nevojat për operacione paqeruajtëse, që është edhe synimi ynë për të ardhmen, nevojat për të mbështetur institucionet e Kosovës dhe nevojat për t’i mbështetur autoritetet civile. Këto janë kapacitetet që ne në të ardhmen jemi duke i studiuar se çfarë madhësie dhe çfarë strukture do të jetë për të ardhmen”, thotë me tutje Kastrati.

Kastrati ka shtuar me tej se ata kanë mbështetjen e ekspertëve nga SHBA-ja, të cilët vijnë në Kosovë çdo gjashtë muaj dhe qëndrojnë nga dy javë ku e ndihmojnë FSK-në, se si t’i qasen këtij studimi të rishikimit të sektorit të sigurisë. Megjithatë, ai nuk tregon nëse do të ketë rritje të numrit të pjesëtarëve të FSK-së.

“Unë e ceka, që struktura që ne jemi duke studiuar bazohet, apo duhet të përmbushim kapacitetet për katër fusha të misionit. Mbrojtja e territorit të Kosovës, pjesëmarrja në operacione paqeruajtëse, mbështetja e institucioneve civile dhe mbështetja e autoriteteve civile. Çka do të thotë kjo, që bazuar në këto katër fusha të misionit, ne jemi duke bërë studimin se çfarë strukture mund t’i përmbush këto katër fusha dhe ne do të dalim me një raport final”, tha ai.

Por, Kastrati tha se, tash për tash, nuk e kanë mision ruajtjen e territorit, por në të ardhmen do të kryejnë detyra shtesë në mbrojtjen e territorit.

“Po, ne synojmë që në vitet në vijim t’i ndërtojmë këto kapacitete që do të jetë e gatshme që të kryejë edhe detyra shtesë në mbrojtjen e territorit”, tha Kastrati.

Ndërsa, sipas Kastratit, objektivat e tyre janë të qarta, që ata duhet të vazhdojnë t’i ngritin kapacitetet apo ta mirëmbajnë këtë forcë, e cila do të jetë e mirë për regjionin nëse ka nevojë që të intervenojnë, qoftë me ekipet e deminimit apo në mënyra tjera. Por, ai nuk ka dashur të thotë nëse vitin e ardhshëm ai do të jetë komandant i ushtrisë së Kosovës.

“Po, do ta shohim, por ne jemi duke punuar në atë drejtim që me të vërtetë Kosova t’i ketë institucionet e veta që duhet t’i ketë si shtet i pavarur dhe unë a do të jem komandant a jo, është me rëndësi që FSK-ja të ec përpara. Detyrë e imja primare është që ta përgatiti FSK-në, oficerët, nënoficerët dhe kuadrot tjera që FSK-ja të ec përpara. Kush do të jetë komandant aty është shumë pak me rëndësi. Me rëndësi është forca që i nevojitet Kosovës”, tha Kastrati. /Kosovapress/

Previous article200 milionë euro investime në Brezovicë
Next articleParandalohet tentimi i kontrabandimit të armëve