Home LAJME Vrau tre vajzat, avokati: Edlira Dobrushi ka nisur të kujtojë çka ndodhur

Vrau tre vajzat, avokati: Edlira Dobrushi ka nisur të kujtojë çka ndodhur

​“Edlira Çopa Dobrushi ka nisur të kujtojë atë se çfarë ka ndodhur”. Faktin e pohon avokati i saj mbrojtës Andrea Spreafico, i cili sqaron se që nga momenti i tragjedisë së konsumuar në orët e para të mëngjesit të 9 marsit, 37 vjeçarja shqiptare që masakroi me thikë 3 vajzat e saj ka nisur të ketë momente qartësie.

Se me sa qartësi i kujton momentet e asaj nate, kur vrau me thikë kuzhine 3 vajzat e saj, Simona, 13 vjeçe, Kejsi 10 dhe Sindi 3 vjeçe është ende e vështirë të thuhet. Sipas avokatit, gruaja ka momente qartësie, ashtu si edhe momente të tjera ku duket ende mjaft e paqëndrueshme. Kjo, sipas Spreafico-s, varet edhe nga 3 ndërhyrjet kirurgjikale, të cilave Edlira u është nënshtruar.

Gjithsesi diçka duket se ka nisur të lëvizë në mendjen e 37 vjeçares, sepse gjatë këtyre ditëve e ka pyetur avokatin se si janë të afërmit e saj. Edlira Copa Dobrushi vazhdon të qëndrojë e shtruar në spital, ku u dërgua menjëherë pasi policia zbuloi krimin e tmerrshëm. Ajo ruhet 24 orë në 24 nga dy agjentë të policisë së burgjeve.

Vetëm në orët e para pas tragjedisë, Edlira pohoi para hetuesve se ishte ajo që u kishte marrë jetën vajzave të saj pasi mendonte se e ardhmja e tyre do të ishte fatkeqe. Ndarja nga i shoqi dhe lidhja e tij me një tjetër femër, të qënit e papunë me tre vajza të mitura për t’u rritur dhe një depresion që mesa duket nuk ishte kuptuar nga asnjë prej të afërmve të saj shkaktoi tragjedinë e datës 9 mars në Lecco, ku një qytet i tërë u trondit nga vrasja makabre e 3 vajzave nga dora e nënës së tyre.

Previous articleMoti i ligë ndërpret kërkimet për aeroplanin e zhdukur
Next articlePTK-ja nuk mund t’i shpëtojë privatizimit