Komisioni Evropian ka paraqitur një strategji të re, të quajtur ‘ProtectEU’ (Mbroni BE-në), për të luftuar terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm në të gjithë bllokun.

Sipas Komisionit Evropian, nisma synon të përshtatë reagimin e sigurisë së BE-së ndaj kërcënimeve në zhvillim, përfshirë keqpërdorimin e teknologjive digjitale, radikalizimin e të miturve në internet dhe tensionet gjeopolitike.

‘ProtectEU’ përqendrohet në gjashtë prioritete kryesore, përkatësisht në parashikimin e kërcënimeve, parandalimin e radikalizimit, mbrojtjen e qytetarëve në internet, sigurimin e hapësirave publike dhe infrastrukturës kritike, reagimin ndaj sulmeve dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.

Masat përfshijnë zgjerimin e Kapacitetit të Përbashkët të Analizës së Inteligjencës, forcimin e kapaciteteve analitike të Europol-it dhe financimin e kërkimeve mbi teknologjitë e reja si inteligjenca artificiale, dronët dhe armët e prodhuara me printim 3D.

Agjenda parashikon gjithashtu një “Pakete Mjetesh për Parandalim” dhe një “Program për Angazhimin dhe Fuqizimin e Komuniteteve” me vlerë 5 milionë euro (5.9 milionë dollarë), me synim luftimin e radikalizimit dhe fuqizimin e të rinjve.