Home LAJME Duhet apo jo të rrëzohet Qeveria sipas qytetarëve ?

Duhet apo jo të rrëzohet Qeveria sipas qytetarëve ?

Derisa sa të mërkurën deputetët do të vendosin për ose kundër mocionit të mosbesimit të Qeverisë, qytetarët kanë mendime të ndryshme për qeverisjen. Disa mendojnë që kjo Qeveri ka dëmtuar vendin dhe duhet të rrëzohet, kurse, të tjerët thonë se duhet të vazhdojë për shkak të të mirave në zhvillimin ekonomik.

Opozita dorëzoi dje mocionin me 42 nënshkrime të deputetëve për rrëzimin e Qeverisë, ndërkohë, kryesia e Kuvendit thirri menjëherë mbledhjen me shefat e grupeve parlamentare, ku edhe është vendosur që të mërkurë, duke filluar nga ora 10:00, të mbahet seanca me vetëm këtë pikë të rendit të ditës.

Opozita tha se është e bindur që do të kenë sukses në seancë, kurse, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha se ata nuk mund ta rrëzojnë Qeverinë. Edhe kryeministri Isa Mustafa tha se nuk i frikësohet mocioneve që vinë nga ata që kanë probleme me ligjin.

Debati vazhdo edhe sot, ku Mustafës iu përmend nga përfaqësuesit e Nismës për Kosovës, tradhtia që ua bëri elektoratit për pozitat e veta, madje iu tha se karvani do t’i ndalet shumë shpejt.

Çështja e rrëzimit ose jo të Qeverisë së Kosovës, është bërë edhe temë diskutimi në mes qytetarëve.

Profesori universitar, Riza Smaka u shpreh se kjo Qeveri disa herë ka shkelur Kushtetutën.

“Qeveria do të ishte dashtë që të binte shumë më herët sepse ishte indolente, indiferente, ishte e pasuksesshme. Qeveri që nuk ka bërë asgjë pothuajse në realizimin e premtimeve zgjedhore, e tash premtimet zgjedhore kur jepen dhe jepet vota, krijohen kontratë, obligim juridik dhe moral për t’i realizuar. Nuk i kanë realizuar, ka bërë shkelje të Kushtetutës disa herë, prandaj moment i fundit është që kjo Qeveri të bie” tha ai.

Po të njëjtin mendim e ka edhe profesori universitar, Avni Presheva, i cili thotë se rrëzimi i Qeverisë është dashur të ndodhte më herët për shkak të dështimit të saj dhe për shkak të shkeljeve që i ka bërë, veçanërisht në arsim.

“Janë vonuar, është deshtë që më herët me u rrëzu kjo Qeveri, se kjo ka dështuar në çdo aspekt, sidomos në arsim, mjerim është. Kanë me pas përgjegjësi historike në këtë arsim çka janë duke bërë”, tha ai.

Edhe Mustafë Gashi mendon se kjo Qeveri duhet të rrëzohet, por që mendimet e qytetarëve nuk po merren parasysh.

“Po qashtu duhet po ata, sërish po e bëjnë të vetën”

Ndërkohë që  qytetari, Shyqri Nici thotë se janë bërë punë të jashtëzakonshme gjatë kësaj qeverisje, veçanërisht në fushën e ekonomisë dhe se ende duhet të vazhdojë kjo udhëheqje.

“Hala duhet me qeverisë për shkak se zhvillmi ekonomik është 4%, disa punë janë kryer jashtëzakonisht mirë, sidomos në ekonomi, punësim, por do pika të rënda nuk i kanë fajet se edhe është marrëveshja ndërmjet PDK-së dhe LDK-së që me vazhdu, edhe është marrëveshja, s’duhet tash me njëherë me shku në zgjedhje për shkak se veç humbim kohë, a të njëjtit kanë me ardhur në pushtet për së dyti” potencoi ai.

Ngjashëm mendon edhe Ramë Hajdari, i cili është i kënaqur me qeverisjen aktuale.

“Mendoj me vazhdu kjo që është”, deklaroi ai.

Kurse, Rifat Aliu mendon se kjo temë është përgjegjësi individuale e tyre, pasi që ata po e udhëheqin popullin.

“Është përgjegjësi e tyre individuale, çka kom unë me mendu apo mos me mendu… ata e dinë mbasi ata po udhëheqin popullin, na kënaqën”.

Në lidhje me rrëzimin apo jo të qeverisë pritet që gjithçka të vendoset në seancën e ardhme plenare, ku për rrëzimin e saj nevojiten gjithsej 61 vota.

Duhet apo jo të rrëzohet Qeveria sipas qytetarëve ?

Previous articleMotrat therren me thika mes vete
Next articlePDK e voton mocionin