Një gjykatë në Moskë i shpalli sot fajtorë Telegramin dhe korporatën amerikane Google për shkelje të legjislacionit rus dhe vendosi gjoba.

Gjykata e qytetit Tagansky gjobiti Telegramin me 7 milionë rubla (91.300 dollarë) për refuzimin e heqjes së një numri reklamash që lidhen me shitjen në distancë të alkoolit dhe përmbajtjes LGBT.

Në një seancë tjetër dëgjimore, Google u gjobit me mbi 22 milionë rubla (287 mijë dollarë) për shpërndarjen e shërbimeve VPN dhe lejimin e aksesit në faqet e internetit të bllokuara në Rusi përmes Google Play.

Gjoba e re i shtohet gjobave të mëparshme të Google-s. Më 19 shkurt, Gjykata Supreme mbështeti një vendim që urdhëronte Google-n të paguante një shumë të jashtëzakonshme prej 91,5 kuintilionë rubla (rreth 1,2 kuintilion dollarë). Ekspertët llogaritën se kjo shifër ishte afërsisht 1 milion herë më e madhe se produkti i brendshëm bruto global.