Spanja do ta ndalojë shitjen e pijeve energjike për të miturit nën 16 vjeç dhe do t’i kufizojë versionet me përmbajtje të lartë kafeine për ata nën 18 vjeç, njoftoi sot ministri i Çështjeve të Konsumatorit, Pablo Bustinduy.

Sipas rregullores së planifikuar, të gjitha pijet energjike do të ndalohen për fëmijët nën 16 vjeç. Produktet që përmbajnë më shumë se 32 miligramë kafeinë për 100 mililitra do të ndalohen gjithashtu për persona nën 18 vjeç.

“Është vërtetuar shkencërisht se këto pije energjike janë bërë një kërcënim për shëndetin e të rinjve”, tha Bustinduy.

Sipas anketës “ESTUDES 2025” të Ministrisë së Shëndetësisë, 38,4 për qind e studentëve të moshës 14 deri në 18 vjeç raportuan se kishin konsumuar pije energjike gjatë muajit të kaluar. Konsumi është dukshëm më i lartë tek djemtë (45,7 për qind) sesa tek vajzat (31 për qind). Prevalenca më e lartë është tek meshkujt e moshës 16 deri në 18 vjeç, duke tejkaluar 48 për qind.