“Ndërrimi i kahes së sinjalit”, është motoja e sivjetme e “Javës së Kulturës së Kosovës në Berlin” dhe domethënia “lexohet” jo vetëm në të tashmen. Promovimi i kulturës dhe artit të Kosovës, të artistëve të saj dhe të krijimtarisë bashkëkohore është synimi, hapet në Ditën e Çlirimit të Kosovës dhe dëshmon “një diasporë që nuk është më vetëm pranuese e kulturës, por edhe krijuese, bartëse dhe transmetuese i saj”

“Si të bëhemi të dukshëm, të kontribuojmë dhe të marrim pjesë në vendimmarrje”, është pyetja që shtron vetëm njëri prej paneleve, e përgjigjja vjen qartazi sapo shfletohet programi i edicionit të sivjetmë i “Javës së Kulturës në Berlin”. I kuruar me kujdes, “Java…” me këtë edicion të tretë, vjen e konsoliduar, programi është i larmishëm, mesazhet janë të fuqishme. Nis të premten e 12 qershorit, përkon jo rastësisht me Ditën e Çlirimit të Kosovës, zgjat deri më 27 e synimet i ka të qarta: promovimin e kulturës dhe të artit të Kosovës, të artistëve të saj dhe të krijimtarisë bashkëkohore kosovare.

“Ndërrimi i kahes së sinjalit” është motoja e sivjetme dhe domethënia “lexohet” jo vetëm në të tashmen.

Nëpërmjet komunikatës për media dhe materialeve të tjera promovuese, Ambasada e Kosovës në Berlin ka dhënë detajet e kësaj ngjarjeje. Në hapje, do të organizohet debati me temën “Diaspora në politikën dhe shoqërinë gjermane – Si të bëhemi të dukshëm, të kontribuojmë dhe të marrim pjesë në vendimmarrje”, ku do të marrin pjesë personalitete të njohura shqiptare aktive në jetën politike, institucionale, shkencore dhe kulturore në Gjermani. Në panel do të jenë politikanët: Afërdita Suka, Arianit Besiri dhe Nikola Tunici e moderuar nga analistja Engjellushe Morina.

“Programi kulturor vazhdon me shfaqjen e filmit dokumentar ‘The Beauty of the Donkey’ të regjisores Dea Gjinovci. Filmi sjell historinë prekëse të një regjisoreje dhe babait të saj, të cilët një çerek shekulli pas luftës në Kosovë, kthehen në fshatin Makërmal për të realizuar një film të frymëzuar nga kujtimet e fëmijërisë së tij. Përmes këtij rrugëtimi, ata përballen me plagët e së kaluarës, duke kërkuar shërim, pajtim dhe shpresë, ndërsa kufijtë mes realitetit dhe imagjinatës bëhen gjithnjë e më të paqartë”, shkruhet në komunikatë. Aty veçohet edhe ekspozita fotografike “28 Minuta”, e cila, sipas komunikatës, “dokumenton hyrjen e trupave gjermane të KFOR-it në Kosovë në qershor të vitit 1999”.
“Për herë të parë do të prezantohen fotografi të veçanta dhe të papublikuara nga arkivat e Bundeswehrit, që pasqyrojnë momentet e para të lirisë dhe çlirimit të Kosovës. Përmes këtij udhëtimi vizual, vizitorët do të kenë mundësinë të rikujtojnë një nga momentet më vendimtare të historisë moderne të Kosovës dhe rolin e solidaritetit ndërkombëtar në ndërtimin e paqes dhe sigurisë”, shkruhet në komunikatë. Në këtë ngjarje, i ftuar nderi do të jetë ish-ministri federal i Mbrojtjes i Gjermanisë gjatë periudhës së luftës në Kosovë, Rudolf Scharping. Këngëtaret Vesa Luma dhe Jehona Sopi do të sjellin një program muzikor “duke ndërthurur traditën dhe modernen në një mbrëmje të veçantë të muzikës kosovare në zemër të Berlinit” e si pikë kulmore, Ambasada e konsideron mini-festivalin “As Anej, As Knej – Between Prishtina & Berlin”, i cili përfshin ekspozita, lexime letrare, diskutime paneli dhe performanca muzikore. Një tjetër ngjarje letrare do të jetë promovimi i librave “Qetësi e prishur” e autorit Bekim Blaku dhe “Hije kujtimesh” të aktorit dhe shkrimtarit Çun Lajçi.

“‘Java e Kulturës… ‘ do të përmbyllet me pjesëmarrjen në festivalin ‘Berlin Loves You’, ku kori ‘Okarina’ nga Kosova, i përbërë nga 50 fëmijë nën dirigjimin e Elikona Hysaj-Shalës, do të performojë në sallën prestigjioze të Philharmonie Berlin, duke sjellë para publikut gjerman talentin dhe energjinë e brezit të ri të Kosovës”, shkruhet në komunikatë.