Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) i Komunës së Podujevës mbajti sot mbledhjen e radhës, të udhëhequr nga drejtori i Arsimit, Avni Fetahu, ku u shqyrtuan çështje që lidhen me gjendjen e përgjithshme të sigurisë në komunë, sigurinë në shkolla, parandalimin e zjarreve dhe vërshimeve, gjendjen e pyjeve, si dhe dukuritë negative dhe masat parandaluese ndaj tyre, në përputhje me pikat e përcaktuara në rendin e ditës.

Në mbledhje morën pjesë nënkryetari i Komunës, Fahri Restelica, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Enver Dugolli, drejtorë komunalë, përfaqësues të institucioneve të sigurisë dhe emergjencave, si dhe anëtarë të KKSB-së.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Enver Dugolli, u shpreh i kënaqur që ishte pjesë e mbledhjes së KKSB-së, duke theksuar se çështjet që trajtohen në këtë mekanizëm lidhen drejtpërdrejt edhe me fushëveprimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme. “Takime të tilla janë të rëndësishme për shkëmbimin e informatave, identifikimin me kohë të sfidave dhe ndërmarrjen e masave parandaluese. Bashkëpunimi dhe koordinimi ndërmjet institucioneve dhe komunitetit janë thelbësore për ruajtjen dhe avancimin e sigurisë”, tha zëvendësministri Dugolli.

Komandanti i Stacionit Policor në Podujevë, Bashkim Bajrami, prezantoi informatën e Policisë së Kosovës për gjendjen e sigurisë në komunë, duke bërë të ditur se gjendja e përgjithshme e sigurisë vlerësohet e mirë. Gjatë periudhës raportuese janë evidentuar gjithsej 391 raste, prej tyre 220 vepra penale dhe 171 incidente, shtatë raste më pak krahasuar me periudhën paraprake. Ndër rastet e evidentuara janë 44 raste të lidhura me armë, 37 me narkotikë, 30 vjedhje dhe 14 raste të dhunës në familje.

Sa i përket sigurisë në komunikacion, Bajrami bëri të ditur se janë evidentuar 137 aksidente me dëme materiale dhe 25 aksidente me persona të lënduar, ndërsa janë shqiptuar gjithsej 4,181 gjoba, prej të cilave 2,424 për tejkalim të shpejtësisë. Ai theksoi se Policia ka vazhduar patrullimet dhe aktivitetet parandaluese, përfshirë 130 patrullime pranë shkollave dhe 64 ligjërata e aktivitete vetëdijesuese, si dhe bashkëpunimin me institucionet komunale dhe komunitetin me qëllim të rritjes së sigurisë.

Në vazhdim, përfaqësuesja e KFOR-it, kapitenja Csilla Egyed, e cila së fundmi ka marrë detyrën e re, u prezantua para anëtarëve të KKSB-së dhe shprehu gatishmërinë për vazhdimin dhe forcimin e bashkëpunimit me institucionet lokale dhe mekanizmat e sigurisë. Ajo theksoi rëndësinë e koordinimit dhe komunikimit të vazhdueshëm ndërinstitucional në funksion të ruajtjes së një mjedisi të qetë dhe të sigurt për qytetarët.

Për gjendjen e sigurisë në shkolla raportoi drejtori i Arsimit, Avni Fetahu, i cili tha se, bazuar në raportet e drejtorëve të shkollave, DKA-së dhe Policisë së Kosovës, gjendja në institucionet arsimore në Podujevë vlerësohet e qetë, stabile dhe e sigurt. Fetahu theksoi se DKA ka vazhduar masat për parandalimin e dhunës dhe krijimin e një mjedisi të sigurt shkollor, përmes bashkëpunimit me Policinë, fuqizimit të organeve të shkollave dhe zgjerimit të shërbimeve profesionale. Aktualisht në shkolla janë të angazhuar 12 psikologë, 7 pedagogë dhe 25 asistentë për fëmijët me nevoja të veçanta. Po ashtu, po vazhdojnë investimet në objektet dhe rrethojat shkollore, si dhe në përmirësimin e qasjes dhe sigurisë përreth shkollave. Kjo pikë u diskutua nga anëtarët e KKSB-së, ndërsa drejtori Fetahu iu përgjigj pyetjeve dhe çështjeve të ngritura gjatë diskutimit.

Në kuadër të pikës për masat parandaluese dhe sensibilizimin e qytetarëve për pasojat nga zjarret gjatë periudhës së korrje-shirjeve, djegiet e pyjeve dhe çështjet që lidhen me vërshimet, si dhe për gatishmërinë dhe intervenimet e shërbimit të zjarrfikësve, raportoi komandanti i Njësisë Profesionale të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit, Milaim Ajvazi. Ai bëri të ditur se gjatë periudhës 1 janar – 24 shtator 2026, njësia ka intervenuar në 418 raste, krahasuar me 738 raste në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, që paraqet rënie prej 43.36%. Numri më i madh i intervenimeve është lidhur me zjarret në hamullore, fusha, kullota dhe pyje, ndërsa nga zjarret janë dëmtuar rreth 123.1 hektarë pyje, 297.2 hektarë fusha dhe 6.1 hektarë sipërfaqe bujqësore. Gjatë kësaj periudhe janë realizuar edhe 40 intervenime teknike, si dhe intervenime në tri aksidente të komunikacionit.

Për gjendjen e pyjeve raportoi përfaqësuesi i Agjencisë Pyjore të Kosovës, Nysret Berisha, përgjegjës për mbrojtjen dhe ruajtjen e pyjeve në Podujevë. Ai tha se gjendja e pyjeve në komunë është stabile dhe më e mirë krahasuar me vitet e mëparshme, ndonëse prerjet ilegale dhe të parregullta vazhdojnë të mbeten sfidë. Berisha bëri të ditur se Podujeva ka mbi 29 mijë hektarë pyje dhe toka pyjore, prej të cilave rreth 18 mijë hektarë janë pyje publike, ndërsa gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit janë konfiskuar rreth 250 metra kub masë drusore nga veprimtaritë ilegale. Ai njoftoi se janë realizuar mbi 10 plane operative në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ndërsa kërkoi koordinim dhe mbështetje më të madhe institucionale për parandalimin e prerjeve ilegale dhe zjarreve pyjore.

Në pikën për dukuritë negative dhe masat sensibilizuese kundër tyre, komandanti Bashkim Bajrami raportoi se gjatë periudhës përkatëse Policia ka evidentuar 37 raste të lidhura me narkotikë, 30 raste të vjedhjeve, prej tyre 13 vjedhje të rënda, si dhe 14 raste të dhunës në familje. Ai tha se, në kuadër të masave parandaluese, Policia ka vazhduar patrullimet, bashkëpunimin me komunitetin dhe institucionet, si dhe aktivitetet sensibilizuese, veçanërisht në shkolla, ku janë realizuar 64 ligjërata dhe aktivitete vetëdijesuese, me fokus në parandalimin e përdorimit të substancave narkotike, dhunës dhe dukurive të tjera që cenojnë sigurinë. Edhe kjo pikë u diskutua nga anëtarët e KKSB-së.

Në pikën “Të ndryshme”, anëtarët e KKSB-së ngritën çështje dhe shqetësime të ndryshme që lidhen me sigurinë dhe problematikat në komunitet. Në çështjet e ngritura dhanë përgjigje nënkryetari i Komunës, Fahri Restelica, dhe drejtori i Arsimit, Avni Fetahu. Fetahu theksoi se çështjet e ngritura do t’u adresohen drejtorive dhe institucioneve përkatëse, me qëllim të shqyrtimit dhe ndërmarrjes së veprimeve në kuadër të kompetencave të tyre.

25.09.2026, Podujevë
Zyra për Marrëdhënie me Publikun dhe Informim