Emiratet e Bashkuara Arabe janë në bisedime me administratën Trump për ndihmë të mundshme financiare nëse lufta me Iranin zgjatet, raportoi Wall Street Journal.
Raporti i publikuar të dielën tha se guvernatori i Bankës Qendrore të EBA-së, Khaled Mohamed Balama, u takua javën e kaluar në Uashington, DC me Sekretarin amerikan të Thesarit Scott Bessent dhe zyrtarë të Rezervës Federale, dhe ngriti idenë e një linje shkëmbimi valutor.
Zyrtarët emiratas duan të sigurojnë një “linjë shpëtimi financiare” nga ShBA-ja në rast se lufta me Iranin e shtyn shtetin e pasur me naftë të Gjirit në një krizë më të thellë financiare, thuhet në raport.
Një luftë e zgjatur “mund t’i shkaktojë dëme të mëdha ekonomisë së saj dhe pozitës së saj si qendër financiare globale, duke shteruar rezervat valutore dhe duke larguar investitorët që dikur e shihnin si një vend të qëndrueshëm dhe të sigurt për paratë e tyre”, shtohet aty.
Sulmet iraniane kanë dëmtuar infrastrukturën e naftës dhe gazit në EBA. Bllokada e Ngushticës së Hormuzit nga Irani që nga fundi i shkurtit ka ndërprerë më tej dërgesat e naftës së EBA-së drejt blerësve, duke i hequr një burim kyç të ardhurash financiare.
Edhe pse zyrtarët emiratas nuk kanë bërë një kërkesë formale për linjë shkëmbimi, nëse ajo miratohet, Banka Qendrore e EBA-së do të kishte akses me kosto të ulët në dollarë amerikanë “për të mbështetur monedhën e saj ose për të forcuar rezervat valutore në rast krize likuiditeti”, thuhet më tej në raport.
Zyrtarët e EBA-së mendojnë se vendimi i Presidentit Donald Trump për t’iu bashkuar Izraelit në luftën me Iranin i ka “përfshirë vendin e tyre në një konflikt shkatërrues” dhe plani i propozuar i ndihmës financiare do të ishte një “mbrojtje” parandaluese nëse ekonomia e tyre futet në krizë më të thellë për shkak të luftës, sipas burimeve amerikane të cituara në raport.
