Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov pranoi sot se të ardhurat e Rusisë nga shitja e burimeve energjetike u përgjysmuan krahasuar me vitin 2025.

Duke folur në një konferencë për mediat në Moskë, Peskov mbrojti idenë se humbjet u kompensuan nga të ardhura të tjera dhe se ekonomia ruse mbetet e qëndrueshme. “Në të vërtetë, ka rënie të të ardhurave nga nafta dhe gazi, e kompensuar pjesërisht nga një rritje e të ardhurave jo-naftës dhe gazit”, tha ai.

Më 6 shkurt, Ministria ruse e Financave njoftoi se të ardhurat e buxhetit federal në janar janë 50,2 për qind më të ulëta se në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Përveç kësaj, ministri i Financave, Anton Siluanov, deklaroi se pjesa e të ardhurave nga shitja e burimeve energjetike në buxhetin federal mund të bie në 20 për qind në vitin 2026.

Vendet perëndimore kanë intensifikuar përpjekjet për të shënjestruar eksportet e energjisë së Rusisë gjatë vitit të kaluar, përfshirë vendosjen e sanksioneve shtesë ndaj cisternave që transportojnë naftë dhe gaz, rritjen e kostove të sigurimit dhe ndalimin e hyrjeve në porte.

Peskov konfirmoi ekzistencën e një deficiti buxhetor, por i përshkroi vështirësitë si të përkohshme, duke shtuar se “stabiliteti makroekonomik na lejon ta zgjidhim atë duke marrë masat e nevojshme”. Ai potencoi se presidenti Vlladimir Putin “e mban gishtin në puls” dhe diskuton rregullisht deficitin buxhetor dhe financimin e tij me qeverinë dhe Bankën Qendrore.