Irani ka filluar të vendosë mina në Ngushticën e Hormuzit, pikën më të rëndësishme të kalimit të energjisë në botë, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e gjithë naftës së papërpunuar, sipas dy personave të njohur me raportet e inteligjencës amerikane për këtë çështje.

Vendosja e minave ende nuk është bërë në nivel të gjerë, vetëm disa dhjetëra janë vendosur në ditët e fundit, kanë thënë burimet.

Por Irani ende mban në ngushticë rreth 80% deri në 90% të anijeve të tij të vogla dhe mjeteve për vendosjen e minave, ka thënë një nga burimet, kështu që forcat e tij mund të vendosin qindra mina në këtë rrugë ujore.

Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, të cilat tani në mënyrë efektive kontrollojnë ngushticën së bashku me marinën tradicionale të Iranit, kanë aftësinë të vendosin një “rrjet” mjetesh të shpërndara për vendosjen e minave, varka të mbushura me eksploziv dhe bateri raketash të vendosura në breg, ka raportuar CNN.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shkruar në një postim në Truth Social të martën se: “Nëse Irani ka vendosur ndonjë minë në Ngushticën e Hormuzit, dhe ne nuk kemi raporte që e kanë bërë këtë, ne duam që ato të hiqen, menjëherë!”

Ai ka shtuar se nëse minat janë vendosur dhe nuk hiqen, Irani do të përballet me pasoja “në një nivel që nuk është parë kurrë më parë.”

Megjithatë ka thënë ai se nëse Teherani heq “çfarëdo që mund të jetë vendosur, do të ishte një hap gjigant në drejtimin e duhur”.

Pas postimit të Trumpit, sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth ka shkruar në X se, me urdhër të presidentit amerikan, Komanda Qendrore e SHBA-së ka eliminuar anije joaktive që vendosnin mina në Ngushticën e Hormuzit “duke i shkatërruar me saktësi të pamëshirshme”.

“Nuk do të lejojmë që terroristët ta mbajnë peng Ngushticën e Hormuzit”, ka shkruar Hegseth.

Komanda Qendrore e SHBA-së ka njoftuar më vonë të martën në një postim në rrjetet sociale se ushtria ka shkatërruar disa anije luftarake iraniane, përfshirë 16 anije që vendosnin mina, pranë Ngushticës së Hormuzit.