Të hënën, në orët e para të 24-orëshit, pritet të kemi një sistem parafrontal, i cili vjen si rezultat i kalimit të një cikloni apo zone me presion të ulët atmosferik nga Italia, përmes pjesës qendrore të Serbisë. Ky sistem do të sjellë fuqizim të erërave nga jugperëndimi, si dhe herë pas here rrebeshe lokale shiu, të shoqëruara me disa shkarkesa rrufesh.

Gjatë orëve të mëngjesit do të fillojë të shtrihet fronti i ftohtë nga veriu, i cili deri në mesditë pritet të arrijë në jug të vendit, duke sjellë reshje të reja dhe ulje të ndjeshme të temperaturave.

Në zonat malore, reshjet do të paraqiten në formë bore. Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që reshje bore të ketë edhe në ndonjë zonë të ulët të Rrafshit të Kosovës. Po ashtu, era do të ndryshojë drejtim, duke kaluar nga jugperëndimi në veri.

Era në momente të caktuara pritet të arrijë intensitet nga erëra të forta deri në stuhi të forta, me shpejtësi maksimale prej 40 deri në 85 km/h.

Stuhitë e forta mund të shkaktojnë dëme lokale, përfshirë thyerjen e degëve të mëdha, rrëzimin e pemëve të dobëta, si dhe dëmtime në çati, sera dhe struktura të lehta. Objektet që nuk janë të fiksuara mirë mund të zhvendosen apo edhe të fluturojnë, duke paraqitur rrezik për njerëzit dhe pronën.

Temperaturat minimale do të lëvizin prej 8 deri në 11°C, ndërsa ato maksimale prej 9 deri në 17°C. Pas kalimit të frontit të ftohtë, temperaturat do të pësojnë rënie të shpejtë, duke zbritur në 1 deri në 5°C. Vlerat më të ulëta priten në veri, ndërsa ato më të lartat në jug. /MeteoKosova/