Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë pranoi pjesërisht kërkesën për shfuqizimin e vendimit të qeverisë për mbylljen e platformës TikTok.

Kërkesa ishte paraqitur nga disa shoqata. Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, Gjykata konstatoi se mbyllja e platformës TikTok ka cenuar lirinë e shprehjes dhe të shtypit.

Sipas argumentimit të Kushtetueses, “ndërprerja e aksesit në platformën TikTok përbën kufizim të lirisë së shprehjes dhe të shtypit”, ndërsa shton se “për këtë shkak ajo vlerësoi të analizojë këtë kufizim në këndvështrim të kritereve të nenit 17 të Kushtetutës, pra nëse ai është bërë me ligj, për interes publik dhe nëse është respektuar kriteri i përpjesëtimit midis ndërhyrjes dhe gjendjes që e ka diktuar atë”.

Gjykata bëri të ditur se “në lidhje me kriterin e parë të kufizimit, “vetëm me ligj”, Gjykata vlerësoi se, megjithëse ligjet mbi bazën e të cilave ka dalë VKM-ja nr. 151/2025 parashikojnë kompetenca të caktuara rregullatore dhe mbrojtëse në fushën e komunikimeve elektronike dhe të të drejtave të fëmijëve, ato nuk i japin Këshillit të Ministrave një autorizim të qartë, të posaçëm dhe të parashikueshëm për vendosjen e një mase me karakter të përgjithshëm, siç është ndërprerja e plotë e aksesit në një platformë on-line për të gjithë përdoruesit në territorin e Republikës së Shqipërisë”.

Vendimi për bllokimin e aksesit, bazuar në konstatimin e Gjykatës, “nuk mund të konsiderohet thjesht si akt që detajon teknikisht një kufizim të parashikuar më parë nga ligji, por si akt që ka materializuar vetë kufizimin në thelbin e tij. Për rrjedhojë, kriteri i kufizimit “vetëm me ligj”, nuk është përmbushur”.