Dështimi i boshtit Izrael-SHBA për ta rrëzuar regjimin e Iranit, tani e tutje nga vende të tjera mund të lexohet si fundi i epokës së ndërhyrjeve të jashtme për të rrëzuar regjime, qoftë edhe me përdorimin e ushtrive. Nëse deri para vitit 2022 besohej se një ushtri e fortë mund të arrijë të gjitha objektivat e dëshiruara, tanimë një teori e tillë ka marrë fund.
Kjo hipotezë që po e shtroj këtu, mund të mos vlejë vetëm në rast se SHBA qëllimisht nuk ka dashur ta rrëzoj regjimin iranian. Gjë që, fare pak mund të jetë e besueshme. Sepse, tek e fundit, pse do të duhej të djegeshin qindra miliarda dollarë për ta hjekë qafe një establishment siç është ky i Iranit.
Pra, lufta e tanishme, përveç tjerash ka qitur në pah shumë të panjohura të dertanishme. Ndër to, sikur edhe lufta në Gaza por edhe ajo në Ukrainë, treguan se fuqia e madhe ushtarake mund të bëjë shkatërrime të paimagjinueshme, por nuk qenka e mjaftueshme për të ndryshuar opinionin, bindjen dhe besimin e një populli, sipas vullnetit dhe interesit të fuqive të mëdha. Përkundrazi, bazuar në tre shembujt e lartëpërmendur, këto ndërhyrje veç sa e betonizojnë vullnetin e brendshëm për t’i rezistuar fuqive të jashtme.
Megjithëqë ende nuk dihet se si do të përfundoj lufta kundër Iranit, unë besoj se udhëheqja politike e tanishme iraniane edhe për një kohë të gjatë do të jetë indikatore shumë e rëndësishme në politikat e ardhshme të Iranit. Këtë, në mënyra të ndryshme e ka shprehur edhe vetë presidenti amerikan, Donald Trump.
Ata që flasin bindshëm me pika në fund të fjalive, në lidhje me atë se si do të përfundoj ky konflikt, i përngjajnë atyre që flasin me bindje për jetën në Mars, vetëm duke u bazuar në disa imazhe që herë pas here ekspozohen nëpër media dhe rrjete sociale.
Problemi i Iranit është shumë më i thellë se kaq. Në fakt, është fillimi i një ndryshimi të madh në marrëdhëniet ndërkombëtare jo vetëm të Lindjes së Mesme…!
