Dita e parë e pranverës, e njohur si ekuinoksi pranveror, përcaktohet nga pozicioni i Tokës në orbitën e saj rreth Diellit. Në këtë moment, boshti i Tokës është i anuar si zakonisht, por asnjë hemisferë nuk është e orientuar më shumë drejt apo larg Diellit, duke bërë që pothuajse në të gjitha gjerësitë gjeografike dita dhe nata të kenë gjatësi të përafërt.

Kur ka hyrë pranvera këtë vit?

Në Hemisferën Veriore, pranvera astronomike fillon në muajin mars, ndërsa në Hemisferën Jugore ajo nis në shtator. Këtë vit, pranvera ka hyrë sot, më 20 mars në orën 15:46.

Edhe pse fjala “ekuinoks” do të thotë “natë e barabartë”, në praktikë dita është pak më e gjatë se nata në shumicën e vendeve. Kjo për shkak të përthyerjes së dritës në atmosferë dhe mënyrës si matet lindja dhe perëndimi i Diellit. Dita kur ato janë realisht të barabarta quhet “ekuiluks” dhe ndodh disa ditë para ose pas ekuinoksit.

Periudha rreth ekuinoksit pranveror sjell rritjen më të shpejtë të gjatësisë së ditës gjatë vitit. Pas kësaj, ditët vazhdojnë të zgjaten, por me ritëm më të ngadaltë, deri në solsticin veror kur arrihet dita më e gjatë e vitit.

Pse pranvera nuk fillon më më 21 mars?

Fillimi i pranverës astronomike nuk bie më në datën 21 mars dhe për një kohë të gjatë nuk do të rikthehet në këtë datë. Që nga viti 2012, ekuinoksi ndodh më herët, zakonisht më 20 mars, dhe në disa vite edhe më 19 mars.

Në të njëjtën ditë me fillimin e pranverës, sot festohet edhe Fitër Bajrami, një ditë gëzimi, mirësie dhe solidariteti për besimtarët myslimanë.