Ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme thellohen pas sulmeve të ShBA-Israelit ndaj Iranit dhe kundërsulmeve të Teheranit, një propozim i pazakontë që dikur ishte hedhur poshtë si i pamundur, ka rifituar vëmendje në debatet publike.
Ideja që Izraeli mund të blejë ose marrë me qira ishuj të pabanuar në Greqi si strehë për civilët gjatë kohës së luftës po tërheq sërish vëmendje për shkak të rrikthimit të frikës mbi përshkallëzimin rajonal dhe sigurinë e popullsisë.
Ky propozim ishte sugjeruar fillimisht në vitin 2022 nga Avri Steiner, atëherë anëtar i aleancës politike të udhëhequr nga Benny Gantz, raporton Haaretz.
Në atë kohë, Steiner e përshkroi konceptin si një “Kupolë Hekuri për popullin hebre”, duke iu referuar metaforikisht sistemit të mbrojtjes nga raketat që “mbron” Izraelin nga kërcënimet ajrore.
Sipas vizionit të Steinerit, plani i ishujve do të shërbente si një mekanizëm humanitar dhe strategjik sigurie në rast të një lufte të madhe ose emergjence kombëtare.
Nën këtë propozim, Izraeli do të blinte ose merrte me qira afatgjatë rreth 40 ishuj të pabanuar në Greqi.
Këta ishuj do të zhvilloheshin si qendra të përkohshme evakuimi, në gjendje të strehojnë civilët izraelitë gjatë krizave të mëdha: si lufta rajonale, bombardimet me raketa ose fatkeqësitë natyrore.
Sipas diskutimeve të hershme për këtë plan, ishujt do të kishin infrastrukturën bazë, duke përfshirë banesa, objekte mjekësore, lidhje transporti dhe sisteme furnizimi emergjent.
Kur kjo ide u shfaq për herë të parë, kishte komente tallëse gjerësisht në debatet publike izraelite.
Shumë komentues dhe media e përshkruan propozimin si “surreal”, duke argumentuar se pengesat logjistike, politike dhe financiare do të ishin të mëdha.
U ngritën pyetje mbi sovranitetin, reagimin e Greqisë dhe Bashkimit Evropian, si dhe mbi praktikalitetin e zhvendosjes së popullsisë së madhe civile jashtë vendit gjatë luftës.
Për disa vite, kjo ide mbeti në periferi të mendimit strategjik izraelit. Megjithatë, peizazhi i sigurisë rajonale ka ndryshuar në mënyrë drastike që nga fundi i vitit 2023, duke e rikthyer konceptin në diskutim.
Përshkallëzimi i ri ka ringjallur frikën se popullsia civile e Izraelit është e ekspozuar ndaj sulmeve të vazhdueshme me raketa në shkallë të paparë.
Këto zhvillime kanë ndodhur gjithashtu në hijen e genocidit të Izraelit në Gaza.
Lufta ka prodhuar tashmë pasoja të mëdha sociale dhe demografike brenda Izraelit.
Raportet tregojnë se rreth 100.000 izraelitë kanë lënë vendin që nga fillimi i luftës së Izraelit në Gaza.
Kjo valë largimesh ka shkaktuar rrikthimin e diskutimeve midis analistëve mbi lidhjen në mes goditjeve të sigurisë dhe tendencave të emigracionit në Izrael.
Hulumtimet e fundit akademike mbi migracionin izraelit sugjerojnë se krizat, qofshin politike, ekonomike apo të sigurisë, mund të përshpejtojnë shpejt migracionin drejt jashtë vendit.
Historikisht, Izraeli ka përjetuar periudha emigracioni gjatë kohës së paqëndrueshmërisë së lartë.
Mbështetësit e propozimit të ishujve të Steinerit argumentojnë se koncepti duhet parë jo si një plan për zhvendosje të përhershme, por si një plan emergjent, një lloj sistemi rezervë për civilët që komplementon mekanizmat e mbrojtjes ushtarake.
