Sot kam pritur në takim Ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj.Mimoza Kusari-Lila, të cilën e urova për detyrën e re në Qeverinë e Kosovës dhe i dëshirova punë të mbarë e suksese.
Me Ministren Kusari-Lila biseduam për bashkëpunimin ndërinstitucional në realizimin e projekteve, me theks të veçantë diskutuam për ndërtimin e Zonës industriale në fshatin Livadicë, ku në bashkëfinancim me MINT-in (në vlerë rreth 4 milionë euro) do të ndërtohet një infrastrukturë e re për bizneset vendore e ndërkombëtare, gjë që do të kontribuojë në tërheqjen e investimeve të reja, zgjerimin e kapaciteteve të ndërmarrjeve ekzistuese, si dhe ofrimin e mundësive për qasje në tregun e punës.
Pas takimit, bashkë me Ministren vizituam edhe hapësirën ku do të ndërtohet Zona industriale. Aty që nga viti i kaluar janë duke u realizuar punimet në zgjerimin e rrugës dhe po ashtu ndërtimin e Qendrës së Kompetencës, e cila do të lidhë arsimin me ekonominë, duke i aftësuar të rinjtë për tregun e punës.
Më pas vizituam edhe Kompaninë “Natyra” Shpk dhe Kompaninë e lëngjeve “Natural Berry”.
Ministren Kusari-Lila e falënderova për vizitën dhe u zotuam për thellimin e këtij bashkëpunimi në realizimin e projekteve në të mirë të qytetarëve tanë.
