Home LAJME Tribunali në Kosovë, me degë në Hagë

Tribunali në Kosovë, me degë në Hagë

Burime ndërkombëtare, i kanë thënë portalit “Koha.net” se është vendosur përfundimisht që Tribunali për gjykimin e krimeve të supozuar të luftës së fundit në Kosovë, të themelohet në Kosovë dhe të ketë një degë edhe në Hagë. Ajo do të funksionojë si gjykatë e veçantë.

“E gjithë përbërja e gjyqtarëve do jetë ndërkombëtare”, i ka thënë ky burim portalit.

Mësohet, se në degën e Tribunalit në Hagë do të japin dëshmitë e tyre vetëm dëshmitarët e mbrojtur.

Bashkësia ndërkombëtare ka insistuar deri tash që selia e një Tribunali të veçantë që do të merrej me pretendimet për krime të kryera në luftën e Kosovës të ketë selinë jashtë shtetit. Ndërsa Qeveria e Kosovës ka kërkuar, që nëse Tribunali do të bëhej të ketë selinë në Kosovë dhe krimet e supozuara të UÇK-së të gjykohen nga vendorët.

Megjithatë, kryeministri Hashim Thaçi, në një paraqitje televizive mbrëmjen e së enjtes ka mohuar në mënyrë të prerë se bëhet fjalë për krijimin e një Tribunali ndërkombëtar jashtë Kosovës.

Sipas tij, bashkësia dhe drejtësia ndërkombëtare janë në Kosovë në formën e EULEX-it. Gjithashtu,Thaçi, ka thënë se drejtësia në Kosovë, institucionet e saja të krijuara nga ndërkombëtarët dhe vendorët janë më se të mjaftueshme.

Edhe më parë, zëvendëskryeministri dhe ministri i drejtësisë, Hajredin Kuçi, i kishte thënë “Kohës Ditore” se po kërkonte dy gjëra.

“E para, që të jetë në funksion të drejtësisë që kemi edhe ne; dhe e dyta, të jetë në funksion të imazhit tonë. Pra, jo ta dëmtojë luftën tonë dhe jo ta dëmtojë emrin e shtetit”, pati thënë Kuçi “Tribunali jashtë vendit absolutisht identifikon vendin dhe jo individët. Vetë emri, selia, zhvillimet e bëjnë këtë”, pati shtuar më pas ai, pas takimit që kishte pasur me Clint Williamson, që heton pretendimet e listuara në një raport të Këshillit të Evropës, i cili flet për krime lufte të kryera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK).

Takimi Kuçi-Williamson nuk kishte qenë sy më sy. Nga pala kosovare aty ka qenë prezent edhe ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi. E në krah të prokurorit të TFHS-së ka qenë edhe shefi i misionit të EULEX-it, Bernd Borchardt.

E ky i fundit i ka thënë sot DW-s, se “ka pretendime për akuza të ashpra dhe nëse ka fajtorë për këto pretendime, atëherë duhet të gjinden kush i ka bërë këto dhe natyrisht duhet të dënohen. Sepse këto janë shumë të këqija për Kosovën dhe si të tilla duhet të pastrohen”.

Previous articleAnalistët, skeptikë për koalicionin AAK-LDD
Next articleAbramov: Putinin e keqinterpretuan mediat