Dieta që na mbron nga tumoret

Dieta për reduktimin e rrezikut për t’u prekur nga tumoret sipas “American Cancer Society”.

Kjo dietë është linjë me atë të sugjeruar nga mjekët për parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare, diabetit dhe në përgjithësi regjimit për një shëndet më të mirë.

 

Konfirmimet dhe dyshimet e studimeve të fundit

Ka vite që përsëritim se një dietë e shëndetshme dhe aktiviteti i duhur fizik na mbrojnë nga shumë lloje tumoresh. Por me kalimin e kohës, këshillat e marra dhe sugjerimet nga studimet e shumta, njëra më kontradiktore se tjetra, më shumë na kanë ngatërruar se sa na kanë qartësuar. Për të bërë diferencën na ndihmon guida e “American Cancer Society”, e publikuar kohët e fundit në “Cancer Journal for Clinicians”. Në këtë publikim, ekspertët pas një pune përmbledhëse të literaturës shkencore u përgjigjen edhe pyetjeve më të shpeshta për ushqimet, pijet, substancat apo regjimet ushqimore mbi të cilat kemi pasur shumë dyshime në këto vite: për shembull ushqimet bio apo pijet e gazuara.

Udhëzimet

 

Aktualisht në guidën amerikane janë edhe rekomandimet e përgjithshme, mes të cilave: ndjekja e një diete të shëndetshme që bazohet te perimet, të zgjedhësh drithëra jo të përpunuara, konsumimi i mishit të kuq dhe aktiviteti fizik. Për t’i bërë më praktike këto këshilla, ekspertët janë bazuar shumë te numrat. Duke filluar nga 50-100k/kal në ditë, në mënyrë që të parandalohet shtimi në peshë. Mbajtja e një peshe trupore të shëndetshme, është një nga mjetet më të rëndësishme për të reduktuar rrezikun e tumoreve. Të paktën 150 minuta në javë duhet t’i kushtoheni aktivitetit fizik me intensitet të moderuar për çdo të rritur me peshë normale. Akoma shifra të rëndësishme: 5 porcione frutash dhe perimesh në ditë janë gjithashtu të rëndësishme për reduktimin e tumoreve.

 

Çfarë të pimë?

Dy gota me madhësi mesatare maksimumi për burrat dhe një për gratë janë njësitë e lejuara për pijet alkoolike sipas mjekëve. Limiti i sugjeruar merr parasysh efektet pozitive në sistemin kardiovaskular, si pasojë e konsumit të ulët të alkoolit, sepse nëse do të ishte vetëm për parandalimin e tumoreve, do të ishte më mirë të mos futej alkool në gojë. Këto janë vetëm rekomandimet e përgjithshme, po në guidë përmenden edhe faktorë që lidhen me dietën dhe aktivitetin fizik, të lidhura sa më fort me rrezikun për disa lloje tumoresh dhe që mund të kenë një domethënie më të madhe, sidomos për ata që kanë një lloj familjariteti me këto lloj sëmundjesh. Mes këtyre këshillave më specifike, përveç kontrollit të peshës, një aktiviteti fizik të përshtatshëm dhe një konsumi të mirë të frutave dhe perimeve gjenden edhe këshilla më pak të njohura nga të gjithë ne. Për shembull, për të reduktuar rrezikun e tumoreve të prostatës (tumori më i përhapur mes meshkujve) shtohet në veçanti edhe kufizimi i kalciumit dhe fakti që të mos kalohet me ushqime dhe pije sasia e rekomanduar për këtë element. Për të reduktuar rrezikun e tumorit të gjirit (më i shpeshti mes tumoreve që prekin femrat) i jepet shumë rëndësi edhe reduktimit të pijeve alkoolike. Po ashtu duhet thënë se faktori më i rëndësishëm duket se është konsumi i përgjithshëm i alkoolit dhe jo lloji i pijes alkoolike që konsumohet.

 

Mishi i kuq

Për të reduktuar rrezikun e tumoreve në zorrën e trashë, theksi vihet mbi të gjitha te rëndësia për të kufizuar konsumin e mishit të kuq të përpunuar dhe alkoolit, te zgjedhja e drithërave integrale, të mos zbresësh nën nivelin e rekomanduar të kalciumit dhe të sigurosh nivele të mjaftueshme të vitaminës D. Për të reduktuar rrezikun e tumorit në stomak, nënvizohet në veçanti zvogëlimi i konsumit të kripës, turshive dhe mishrave të përpunuar, ndërsa për të ulur rrezikun e prekjes nga kanceri në ezofag, në veçanti rekomandohet kufizimi i alkoolit (dhe aq më tepër i duhanit) dhe ushqimeve tepër të nxehta. “Në çdo rast, edhe pse dieta për reduktimin e rrezikut për t’u prekur nga tumoret është në një linjë me atë të sugjeruar për parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare, diabetit dhe në përgjithësi për një shëndet më të mirë, e rëndësishme është të mos vendosim se çfarë duam të parandalojmë, por çfarë duhet të bëjmë për të përmirësuar stilin tonë të jetesës”, tregojnë mjekët.