Home LAJME Veriorët refuzojnë takimin me Edita Tahirin

Veriorët refuzojnë takimin me Edita Tahirin

Kryetarët e katër komunave veriore të vendit nuk janë takuar të martën me zëvendës kryeministren e Kosovës, Edita Tahiri, edhe pse një takim i tillë ishte paraparë të mbahej mbrëmë në shtëpinë e BE-së në veri të Mitrovicës, bëjnë të ditur burime të Kosovapress-it.

Sipas këtyre burimeve, udhëheqësit veriorë kanë refuzuar duke hequr dorë momentin e fundit nga një takim i tillë, ndërkohë që janë takuar me zëvendës shefen e misionit të ambasadës amerikane në Prishtinë, Jennifer Backuz.

“Nuk jemi të kënaqur me sjelljen e zonjës Tahiri. Herën e fundit në Prishtinë ajo nuk na ka pranuar fare si bashkëbisedues, duke thënë se s’ka çka të bisedojë me neve, sepse ne nuk jemi palë në bisedime, ndërsa kur ajo është dashur të vij tek ne, atëherë për çka do të bisedonim me të”, citojnë burimet të ketë thënë njëri prej kryetarëve të komunave veriore.

Mësohet se zëvendës kryeministrja Tahiri do të takohet sot gjatë ditës me shefen e Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës, Adriana Hoxhiq.

Kosovapress-i ka provuar të kontaktoj Adriana Hoxhiqin për të konfirmuar takimin e sotëm me zëvendës kryeministren e Kosovës, por p a sukses.

Previous articleS’bën dush një vit për të kursyer ujin
Next articleInteri e kërkon Negredon