Home LAJME Maloku: Shkuarja ime në AKR, spontane

Maloku: Shkuarja ime në AKR, spontane

Ish-nënkryetari i AAK-së, Naim Maloku, ka zgjedhur AKR-në për ta vazhduar karrierën politike. Ai për “Epokën e re” ka treguar arsyen e aderimit në AKR.

“Shkuarja ime në AKR ka qenë spontane. Nuk ka qenë një aderim ad-hoc brenda dy-tri ditëve apo një jave. Në AKR kam parë një frymë bashkëpunuese. AKR-ja prej se është në skenën politike ka treguar frymë të bashkëpunimit, duke mos pasur armiqësi dhe averzion me asnjë subjekt politik. Pra, AKR-ja është në garë me program”, ka thënë Maloku.

Ai ka treguar se angazhimi, puna dhe performanca e mirë e kësaj partie në Qeveri e ka shtyrë atë t’i bashkohet Behgjet Pacollit. “Duke parë performancën e mirë të ministrave të Qeverisë nga radhët e kësaj partie, duke pasur parasysh faktin se kjo parti është liberale dhe duke parë që vizioni i AKR-së e ka në fokus zhvillimin ekonomik, si dhe duke e parë që mund të kontribuojë më shumë duke qenë brenda një subjekti politik, atëherë kam vendosur t’i bashkohem radhëve të Aleancës Kosova e Re”, ka theksuar Maloku.

Ai ka thënë se nuk ka shkuar në këtë parti në shkëmbim të ndonjë pozite partiake. “Sa iu përket pozitave, në parti nuk kemi diskuar për një gjë të tillë. Unë nuk kam shkuar në AKR për pozita. Mirëpo se si do të bëhet brenda partisë në të ardhmen nuk e di. Ndoshta gjatë rrugëtimit strukturat e partisë mund edhe të më zgjedhin në ndonjë pozitë partiake”, është shprehur Maloku, duke shtuar se është i gatshëm ta japë kontributin aty ku partia e sheh të nevojshme.

“Kur të ndahen pozitat dhe në qoftë se brenda partisë nuk ka ndonjë njeri më kompetent për ndonjë pozitë të caktuar dhe nëse partia mendon se unë mund të jem aty, atëherë do të mendojmë. Mirëpo aktualisht nuk e kam menduar këtë çështje”, ka deklaruar Maloku. Po ashtu, ai ka hedhur poshtë mundësinë të ketë folur për ndonjë post ministror nëse AKR-ja do të jetë pjesë e qeverisë edhe në mandatin e ardhshëm. “Sinqerisht nuk ka pasur biseda për poste ministrore nëse AKR-ja do të jetë pjesë e qeverisjes së ardhshme”, është shprehur Maloku.

Maloku ka thënë ka thënë se gjatë mandatit të ardhshëm synon të bëhet deputet i Kuvendit të Kosovës si dhe ta udhëheqë Komisionin për Siguri. “Ende nuk kemi biseduar as për çështjen e listës së kandidatëve për deputetë. Synoj që në mandatin e ardhshëm të bëhem deputet, ndoshta edhe ta udhëheq njërin prej komisioneve parlamentare që i mbikëqyr sektorët e sigurisë. Ky do të ishte synimi im”, është shprehur Maloku.

Ai është shprehur i bindur se AKR-ja edhe pas zgjedhjeve parlamentare do të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës dhe e Qeverisë.

Sipas tij, puna dhe angazhimi i deritanishëm i kësaj partie do të shpërblehet në këto zgjedhje siç është shpërblyer në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar. “Jam shumë i bindur se edhe në mandatin e ardhshëm AKR-ja do të jetë pjesë e Kuvendit dhe e Qeverisë. Prandaj, sikur të mos besoj në fitoren e AKR-së, nuk do të rreshtohesha në radhët e saj. Besoj shumë se puna dhe angazhimi i AKR-së do të vlerësohen dhe do të shpërblehet nga qytetarët në zgjedhjet parlamentare”, ka deklaruar Maloku.

Previous articleKritikohet kryeshefi i Inspektoratit të PK-së
Next articleHaradinaj ndau librezat për ekspertë dhe anëtarë të rinj të AAK-së